Saturday, September 29, 2012

Mungesë ngrohjeje në kryeqytet edhe këtë dimër

Furnizimi me ngrohje qendrore duket se edhe këtë vit do të jetë problem kryesor për QKUK-në, por edhe për konsumatorët e tjerë të Termokosit, pasi që zyrtarë nga ky institucion kanë bërë të ditur edhe këtë sezon po ballafaqohen me probleme financiare.
Ata kanë premtuar se QKUK-ja do të ketë përparësi në furnizim me ngrohje dhe për këtë do të shfrytëzohen të gjitha mundësitë teknike ekzistuese. Mirëpo, megjithatë kanë përmendur edhe vështirësitë, duke thënë se Termkosi, po ballafaqohet më vështirësi financiare, të cilat mund të ndikojnë edhe në furnizimin me mazut.
“Ditë më parë është nënshkruar edhe kontrata me operatorin ekonomik që do të furnizojë ngrohtoren me mazut për këtë sezon ngrohëse, mirëpo problem krucial, për fillimin e sezonit ngrohës, paraqet bllokimi i kontos financiare për shkak të një borxhi prej një milion euro që Termokosi i ka mbetur borxh një operatori ekonomik që ka furnizuar Termokosin me mazut në vitin 2009. Si pasojë ai është ankuar në gjykatë dhe gjykata ka vendos që t’i paguhet borxhi dhe në të kundërtën do të bllokohen kontot gjë që ka ndodhur”, ka thënë për Kosovapress, Afërdita Uka-Fejzullahu, zëdhënëse në ngrohtoren e qytetit të Prishtinës.
Ajo ka bërë të ditur se ashtu si në vitin e kaluar edhe këtë vit Termokosin po e përcjellin vështirësitë financiare, mirëpo ka shtuar se për nevojat e QKUK-së do të lëshohet në disponim ngrohtorja afër hapësirave të QKUK-së, e cila për prodhimin e energjisë ngrohëse shfrytëzon lëndën djegëse naftë. Mirëpo, në anën tjetër drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, ka deklaruar se marrëveshjet e arritura një vit më parë mes QKUK-së dhe Termokosit për furnizim me ngrohje nga kjo e fundit mbetën në fuqi, porse shton se benefiti nga këto marrëveshje ka qenë zero, pasi që QKUK-ja ka shpenzuar shuma të majme parash për ngrohje me anë të linjës së veçantë me naftë.
Zyrtarë të Termokosit tregojnë se inkasimi për këtë vit ka arritur rreth 70 për qind më i lartë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, mirëpo ende nuk është në nivelin e duhur, pasi që rreth 17 milionë euro borxhe janë të grumbulluara nga konsumatorët, 14 milionë prej të cilave janë borxhe të konsumatorëve banesor dhe rreth tre milionë janë borxhe të subjekteve afariste.
Sipas përllogaritjeve për furnizim të konsumatorëve me ngrohje nevojiten 14.256 tonelata mazut, por duke pasur parasysh buxhetin e limituar dhe pamundësinë për mbulimin e shpenzimeve për këtë sasi janë planifikuar 10.000 ton mazut, të cilat Termokosit do t’i kushtonin rreth tetë milion euro.
Gjatë sezonit së fundit ngrohëse 2011-2012 për prodhimin e energjisë ngrohëse Termokosi ka shpenzuar rreth 5.100 ton mazut.
Vetëm QKUK-së, ngrohja alternative me naftë, dimrin e kaluar, i ka kushtuar hiç më pak se 10 mijë euro vetëm për një ditë, ose nëse llogarisim tërë sezonin i bie që QKUK-ja, për ngrohjen e pacientëve do të shpenzojë përafërsisht dy milionë euro. 

No comments:

Post a Comment