Saturday, September 29, 2012

Fytyra e kampionit

Juventusi është treguar mjaft bindës në fitoren prej 4-1 kundër Romës, në ndeshjen kryesore të javës së gjashtë në Serie A.
Zonja e Vjetër e fitoi ndeshjen që në pjesën e parë pas një performance mbresëlënëse.
Nuk kaluan shumë minuta nga fillimi i ndeshjes (11’) dhe Andrea Pirlo heshti kritikët me një gjuajtje të lirë mjeshtërore duke e dërguar topin në rrjet.
Një pritje me dorë të Leandro Castan në zonë, arbitri e ndëshkoi me penalti, të cilën e konvertoi në gol Arturo Vidal (16’).
Mesfushori Vidal dërgoi një pasim të bukur në drejtim të Alessandro Matrit, ndërsa sulmuesi italian realizoi golin e tretë të Bianconerëve (19’).
Vendasit kanë mundur të shënojnë më shumë gola në pjesën e parë, pasi që përveç rasteve, ata dy herë e goditën transversalen përmes Marchisios dhe Vucinicit.
Në gjysmën e dytë ra tempi i lojës, ndërkohë që Roma përpiqej të ndërtonte ndonjë aksion.
Falë angazhimit të tyre, Giallorossët fituan një penalti. Pablo Osvaldo ishte i saktë nga pika e bardhë (69’) për të shënuar golin që rezultoi i nderit për mysafirët.
Pas golit të pësuar, bardhezinjtë rikthyen ofensivën, mirëpo nuk u treguan të saktë, përveç një goli të shënuar nga Bonucci në pozitë jashtë loje.
Dhe ndërkohë që Roma po përpiqej të bënte diçka derisa po afrohej fundi, Andrea Barzagli bëri një dalje të mrekullueshme nga mbrojtja dhe pasoi te Sebastian Giovinco, i cili e vendosi rezultatin përfundimtar (90’).
Juventusi është në krye të tabelës së Serie A, me tri pikë më shumë se Napoli që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. 

No comments:

Post a Comment